A mund të notohet vlerësimi?

Para do kohësh në internet qarkullonte një hartim me shkrim i një nxënësi nga Berova në temën “Bora e parë”, që shkaktoi shumë komente edhe për vetë hartimin edhe për notën dhe informatën kthyese nga arsimtari. Ka edhe shembuj të tjerë të këtillë: për temën “Ç’është guximi” një nxënës e ka mbushur gjithë faqen me vija dhe në fund ka shkruar ”ky është guximi”, pastaj një nxënës e ka shkruar gjithë hartimin me shkrim pa shenja të pikësimit, dhe ato i ka shkruar në fund të tekstit dhe ka shkruar: ”Tani ikni nëpër vendet tuaja “. Sa më shumë që këto dukuri të na duken zbavitëse, aq më tepër na çojnë të mendojmë. Ku është problemi: te nxënësit (është e qartë se nuk bëhet fjalë për nxënës me pengesa në zhvillim), te arsimtari (tema të mërzitshme dhe jokreative), në programin arsimor (i kufizuar ose joadekuat)?
Kjo imponon edhe pyetje të tjera: çka duhet të vlerësohet te nxënësi (a duhet të vlerësohet vetëm dija), si duhet të vlerësohet nxënësi dhe kush duhet ta vlerësojë nxënësin?

Gjithnjë e më shumë flitet për mënyrën joadekuate të notimit nëpër shkolla, për hiperinflacion të nxënësve të shkëlqyeshëm, për devalvim të dijes, ndërsa si fajtorë kryesorë përmenden arsimtarët. Prandaj, Ministria për arsim para disa vitesh e filloi iniciativën, të cilën edhe e futi në përdorim: kontrollimin ekstern të përparimit dhe të arritjeve të nxënësve me qëllim që të sigurohet kualitet në zhvillimin e arsimit fillor… (sipas Propozim-ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për arsim fillor).

Kaluan dy vite shkollore dhe kjo nuk u jetësua, “ra” në Gjyqin Kushtetues, pastaj ligji “u përmirësua” që të jetë në përputhje me Kushtetutën, pastaj Ministria nuk ishte e gatshme, pastaj shkollat nuk ishin gatshme… Nga ky vit shkollor fillojmë të përgatitur për t’i vlerësuar arsimtarët duke i vlerësuar nxënësit, gjegjësisht i vlerësojmë arsimtarët sipas asaj se si ata i vlerësojnë nxënësit e tyre. Nëse nuk e keni të qartë, pritni se ka gjëra edhe më të paqarta dhe më të ndjeshme se kjo që duheshte të diskutohen dhe të qartësohen para se të fillohet me këtë lloj të vlerësimit të arsimtarëve.

E para, qëllimi nuk është aspak i keq, shteti dëshiron të vëndojë rend në një pjesë shumë të ndjeshme të shoqërisë, ku me vite të tëra është duke rënë kualiteti. Ja një pjesë nga arsyetimi gjatë miratimit të ndryshimeve të Ligjit: ”… raportet tregojnë se rreth 80% nga numri i përgjithshëm i nxënësve të shkollave fillore janë me sukses të shkëlqyeshëm ose shumë të mirë. …Notat gjithnjë e më pak janë tregues real i njohurive dhe i aftësive të nxënësve…. Te arsimtarët ka rënë interesi për zhvillim kualitativ të mësimit, është dëmtuar dinjiteti i profesionit të arsimtarit, janë rritur presionet për të vënë nota joreale….“

 Përmenden shembuj nga SHBA-të dhe BE-ja, ku kualiteti kontrollohet rregullisht nëpërmjet testimeve eksterne, sqarohen anët pozitive të testeve të standardizuara, notimi sipas standardeve dhe kritereve, zvogëlimi i subjektivitetit, mundësia për krahasim, etj. E gjithë kjo nuk vihet në dyshim dhe kjo vërtet është një proces botëror, e poashtu numri më i madh i arsimtarëve nuk e konteston atë, edhe atë deri te pjesa ku thuhet se ”Në bazë të rezultateve nga kontrollimi ekstern i njohurive të nxënësve do të bëhet edhe avancimi në karrierë duke fituar titull më të lartë, i kuadrit arsimor dhe atij bashkëpunëtor të shkollave, si dhe do të caktohet lartësia e rrogës së tyre.”

Shteti dhe Ministria për arsim, me qëllimin më të mirë ndërmarrin masa për ta përmirësuar kualitetin e arsimit. Ajo që mungon është qasja sistematike dhe shkencore ndaj këtij procesi. Kur bëhet fjalë për vlerësimin e punës së arsimtarëve, para se të fillojë një proces i tillë i ndërlikuar, fillimisht duhet të qartësohen disa çështje: kush do ta vlerësojë arsimtarin, çka do të merret parasysh gjatë vlerësimit dhe si do të zhvillohet ai proces.

Kush mund ta vlerësojë arsimtarin në mënyrë më objektive?

 Në tre vitet e fundit, gjatë zbatimit të evaluimit ekstern nga ana e Inspektoriatit shtetëror për arsim, janë vlerësuar arsimtarët dhe bashkëpunëtorët profesionalë sipas Standardeve për vlerësimin e arsimtarëve, ku nëpërmjet pikëve fitohet nota adekuate. Nuk do të hyjmë në kualitetin e instrumenteve, e as në kompetencën e inspektoratit që në mënyrë adekuate ta vlerësojë punën e arsimtarëve. Më me rëndësi është se të gjithë jemi të vetëdijshëm se nëpërmjet një vizite në orë te arsimtari dhe kontrollimit të portfolios së tij, nuk mund të jepet notë objektive. E lëre më që këto nota deri tani nuk i janë komunikuar as arsimtarit e as shkollës.

80% e arsimtarëve do t’u thonë se nxënësit janë ata që në mënyrë më objektive mund ta vlerësojnë arsimtarin (shih anketën 1). Kjo gjithsesi është më e logjikshme, sepse nxënësit janë për çdo ditë me arsimtarët e tyre dhe janë shfrytëzues të drejtpërdrejtë të mësimit që e marrin prej tyre. Përgatitni vetëm instrumente përkatëse dhe formuloni pyetjet e vërteta – nuk ka vlerësues më objektiv se sa fëmijët (nxënësit). Shembuj të këtillë pozitivë ka madje edhe në vendet më të afërta, siç është Kroacia, ndërsa nëpër fakultete është praktikë e rregullt në të gjitha vendet (përveç te ne).

anketa 1

Anketa 1: Kush mund ta vlerësojë punën e arsimtarëve në mënyrë më objektive? Numri më i madh i arsimtarëve (46 ose 80%) konsiderojnë se ato janë nxënësit, 5 arsimtarë konsiderojnë se ato janë këshilltarët nga BZHA-ja, për revizorë të angazhuar në mënyrë të pavarur janë 4 arsimtarë, ndërsa për shërbimin profesional – 2 arsimtarë, ndërsa një arsimtar është për prindërit. Është interesante se askush prej arsimtarëve nuk mendon se inspektorët mund ta vlerësojnë punën e tyre në mënyrë objektive.

ucenik_ocena

 Një nxënës i klasës së shtatë “e vlerëson” arsimtarin e tij.

Çka duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të arsimtarit?

Domeni i punës së arsimtarit nuk kufizohet vetëm në notimin e nxënësve. Notimi është njëri nga segmentet e rëndësishme, por jo edhe i vetëm. Para së gjithash, arsimtari duhet të përgatisë dhe të planifikojë gjithçka në mënyrë të mirë, pastaj ta realizojë mësimdhënien, gjegjësisht ta organizojë dhe ta realizojë mësimin dhe aktivitetet e tjera me nxënësit, të krijojë mjedis për mësim dhe klimë pozitive, duhet të realizojë interaksion të mirë me nxënësit, prindërit dhe kolegët, të jetë profesionist i mirë dhe vazhdimisht të avancohet dhe gjithsesi ta ndjekë përparimin e nxënësve dhe ta notojë punën e tyre. Por, cili prej këtyre segmenteve është më i rëndësishëm, a është notimi i nxënësve segmenti i vetëm i rëndësishëm dhe valid për ta vlerësuar punën e arsimtarët? Shumica nuk mendojnë ashtu, përkundrazi (shih anketën 2).

anketa 2

Аnketa 2: Cila fushë nga puna e arsimtarit, me çfarë rëndësie duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të punës së tij/të saj? Mënyra e mësimdhënies – 23 (40%), krjimi i mjedisit për mësim – 16 (30%), arritjet (notat) e nxënësve – 6 (12%), profesionalizmi dhe përgjegjësia – 3 (7%), planifikimi i mësimit – 2 (5%) dhe interaksioni me nxënësit dhe prindërit – 2 (5%).

 Si të zhvillohet procesi?

Mënyra e realizimit të testimit ekstern është shtjelluar dhe përcaktuar me ligj, por ajo është diskutabile edhe për faktin se gjithë procesin e realizon komisioni shkollor (kolegë të atyre që vlerësohen) edhe atë duke filluar nga përzgjedhja e paraleleve dhe e lëndëve që do të vlerësohen, zbatimi i i testimit, e deri te dhënia e notës për arsimtarin.

Si është në vendet e tjera?

Përvoja nga vendet e tjera tregon se nuk janë të nevojshme testimet eksterne për të pasur sistem të suksesshëm arsimor. Merreni si shembull rastin e Finlandës, sistemi arsimor i të cilës konsiderohet si një nga më kualitativët në botë. Nxënësit finlandezë nuk kanë aspak testime, kanë më pak lëndë, kanë më pak orë, por edhe dallime më të vogla në arritje ndërmjet nxënësve dhe rezultate ndër më të mirat në tetsimet ndërkombëtare. Arsimtarët finlandezë nuk kontrollohen dhe nuk notohen nga shteti, e megjithatë puna e tyre është kualitative dhe jep rezultate.

Me sa kam vërejtur deri tani, përveç në SHBA duke filluar nga viti i kaluar shkollor, nuk di ndonjë vend tjetër ku arsimtarët vlerësohen në bazë të rezultateve që i kanë arritur nxënësit në testimet eksterne. Madje edhe në SHBA kjo është vetëm një pjesë e notës së arsimtarit, por edhe për këtë ka reagime të shumta nga shoqatat dhe sindikatat e arsimtarëve.

Напишете коментар

Вашата адреса за е-пошта нема да биде објавена. Задолжителните полиња се означени со *