Arsimtar – një profesion i (nën)çmuar

Për dinjitetin e profesionit të arsimtarit

Të jesh arsimar më parë ka qenë krenari. Sot ky profesion është më i përfoluri dhe më i kritikuari. Cili ishte shkaku që ndodhi kjo në një periudhë relativisht të shkurtër kohore? Pse, edhe përkundër gjithë kësaj, një numër i madh të rinjsh dëshirojnë të punojnë në arsim?

Dragica_Slave 001

Vjehra ime është bërë mësuese në vitet e pesëdhjeta, me shkollim të mesëm. Të ishe mësues në atë kohë ishte diçka e vlefshme, të rrallë kanë qenë njerëzit e arsimuar. Arsimtarët kanë qenë njerëz të respektuar, i kanë konsideruar njerëz më të mençur, kanë pasur rroga solide në përputhje me standardin, nuk ka pasur arsimtarë të papunësuar dhe nxënësit e tyre kanë qenë të disiplinuar dhe e kanë përpirë çdo fjalë të tyre.

Gjendja me arsimin inicial të arsimtarëve në Maqedoni

Pas kësaj, së shpejti hapen edhe akademitë pedagogjike ku arsimi i arsimtarëve zgjatet edhe për dy vjet të tjera. Madje në vitin 1995 arsimi i lartë dyvjeçar bëhet katërvjeçar, kështu që tani, nëpër shkolla pothuajse edhe nuk ka arsimtarë me arsim të lartë dyvjeçar. Sikur kualiteti i këtyre kuadrove nuk e ka përcjellë lartësinë e arsimit të tyre, sepse për një kohë të shkurtër ndodh një degradim i madh dhe humbje e dinjitetit të këtij profesioni. Nga ana tjetër, interesi për të studiuar në fakultetet që edukojnë arsimtarë shtohej gjithnjë e më tepër, si dhe interesi për të punuar në këtë profesion edhe nga kuadro që nuk ishin shkolluar për këtë.

Gjatë 5 viteve të fundit, në fakultetet pedagogjike në Shkup, Manastir dhe në Shtip kanë diplomuar 5.177 arsimtarë. Edhe pse numri i arsimtarëve të diplomuar prej vitit 2007 deri në vitin 2011 është përgjysmuar, megjithatë edhe ky numër është tepër i madh që të punësohen të gjithë, në atë fushë për të cilën e kanë kryer fakultetin. Prandaj, arsimtarët dhe ata që kërkojnë punë në arsim paraqesin një prej profesioneve me numrin më të madh të të papunësuarve.

Gjendja me arsimtarët e punësuar

Një informatë tjetër interesante është se numri i nxënësve në Maqedoni vazhdimisht zvogëlohet, kështu që dallimi prej vitit 2000 deri në vitin 2011 është 50.519 nxënës më pak në shkollat fillore, ndërsa për po këtë periudhë kohore numri i arsimtarëve është rritur vazhdimisht, kështu që dallimi prej vitit 2000 deri në vitin 2011 është 3.814 arsimtarë më tepër në arsimin fillor. E ngjashme është situata edhe në arsimin e mesëm.

Një situatë pak e çudishme: një numër i madh i arsimtarëve të diplomuar nga fakultetet për arsimtarë (numër ky që nuk korrespodon me nevojat reale), rritje e numrit të arsimtarëve nëpër shkolla, ndërsa zvogëlim drastik i numrit të nxënësve. Kjo situatë nënkupton kualitet të shtuar të punës edukativo-arsimore: konkurrencë më e madhe për punësimin e arsimtarëve dhe raport më i mirë numerik arsimtar – nxënës. Por, pse megjithatë nuk ka kualitet më të mirë?

Arsimtarët e pensionuar dhe ata që kanë më shumë se 30 vjet stazh pune, i përkujtojnë kohërat e mira të këtij profesioni:

“…ajo kohë e mirë kur punëtori i arsimit respektohej, udhëhiqej në punë nga mësuesit e shkëlqyer me shkollë mësuesie, të cilët ndihmonin me vetmohim që teoria të ndërlidhet me praktikën. Inspektorët i këshillonin fillestarët dhe kishin respekt të madh ndaj kolegëve me përvojë më të madhe, për shkak se edhe vetë e kishin kaluar rrugën prej mësuesve të fshatit deri në inspektorë” – thotë një arsimtare 54-vjeçare.

Ndërsa arsimtarët që janë punësuar në vitet e shtatëdhjeta tregojnë një “tregim” tjetër:

“Kur u futa në procesin arsimor, tre muajt e parë qaja nga dëshpërimi. Mendoja se kam hyrë në një mjedis të lartë intelektual, ku do të dëgjoj dhe do të marr pjesë në diskutime, të cilat duhet të jenë të nivelit intelektual. U ballafaqova me arsimtarë që i rrihnin nxënësit me shuplaka, i ofendonin ata, i ndanin njerëzit në fshatarë dhe qytetarë, arsimtarë që kishte mundësi të të shanin në çdo kohë nëse kanë pasur ditë të keqe… dhe ajo që është më tragjike, secili i mbyllur në vete, me rregullat e tij të sjelljes të cilat i konsideronte më të mira” – thotë një arsimtare nga Kumanova.

Një arsimtare e papunësuar nga Ohri, e cila që tani e ndjen “hidhërimin”, përpiqet ta përshkruajë gjendjen aktuale në profesionin e arsimtarit:

“Frika për ruajtjen e vendit të punës dhe presionet politike e pamundësojnë plotësisht lirinë e veprimit dhe shprehjen e qëndrimit personal, profesionalizmin dhe ajo që mund të thuhet më së paku, e shkatërrojnë entuziazmin dhe kreativitetin në punë. Vendosja e një personi kreativ në pozitë të atillë që ta mbajë anën e dikujt ose t’ia bëjë qejfin dikujt është pozita më jofalënderuese dhe fatale për veprim.”

Shkaqet për rënien e statusit dhe të kualitetit të profesionit të arsimtarit

Sipas mendimeve të arsimtarëve të Maqedonisë për degradimin e profesionit të tyre, ata i dallojnë disa arsye:

–        “Shkak kryesor për degradimin e profesionit të arsimtarit është degradimi i familjes së sotme. Arsimtarët e rinj vijnë nga familjet e këtilla, nxënësit e tyre vijnë nga familje edhe më të degraduara“ konsideron një mësuese e pensionuar pothuajse 80-vjeçare, ndërsa një arsimtare në mjedis fshatar e plotëson këtë me ”mungesën e edukimit shtëpiak te nxënësit dhe në përgjithësi te popullata e re, duke i përfshirë edhe prindërit dhe një pjesë të kolegëve.”

–        Demokracia e pakuptuar sa duhet nga ana e prindërve dhe nxënësve, sipas një arsimtareje në mësim klasor, është shkaku për rënien e statusit dhe kualitetit të punës së arsimtarit. ”I mësojmë fëmijët dhe prindërit për të drejtat e tyre, por ata shumë pak, ose gabimisht, i dijnë përgjegjësitë e tyre” – thotë ajo.

–        Prindërit, shpesh përmenden nga arsimtarët të cilët i intervistova. Ata konsiderojnë se në kohën e sotme, prindërit, të udhëhequr nga dëshira e fortë ekzistencialiste, fëmijëve të tyre u ngulisin norma dhe vlera të shtrembëruara, dhe kjo rezulton me lutje për nota, kërkim të lidhjeve ose akuzim të arsimtarit për mossuksesin dhe sjelljen e keqe. ”Shpesh ndodh që prindërit edhe para fëmijëve të flasin negativisht për arsimtarët, pa pasur kujdes se cilat fjalë i përdorin, njëkohësisht duke e mbajtur anën e fëmijës së tyre, pa marrë parasysh se a është kjo e drejtë ose jo, dhe në atë rast fëmija bëhet instrument në duart e prindërve” – flet nga përvoja një arsimtare nga Prilepi.

–        Si arsye për degradimin, në mesin e arsimtarëve shpesh përmendet edhe mungesa e standardeve etike dhe profesionale të profesionit të arsimtarit. Dhe me të vërtetë, nëpër shkolla nuk është vendosur një sistem i drejtë dhe adekuat për avancimin profesional të kuadrit arsimor, e nuk ka as standarde dhe kompetenca për profesionin e arsimtarit në nivel shtetëtor.

–        Një numër i madh i arsimtarëve që i intervistova, pa dallim të moshës dhe të vendit të punës, konsiderojnë se ka ”partizim të arsimit në çdo segment, gjatë emërimit të drejtorëve, emërimit të anëtarëve të Këshillave të shkollës, e bile edhe punësimi bëhet pa kritere dhe/ose me kriter të vetëm – anëtarësi në parti, ndërsa më e keqja është, konsideron një arsimtar në shkollë të mesme, kur punësimet partiake janë me kuadro mjerisht të dobëta.”

–        Obligimet e shumta administrative që i kanë sot arsimtarët, përmenden si një pjesë e arsyeve për zvogëlimin e kualietit të punës së tyre “të vërtetë” – mësimdhënies.

–        “Mosekzistimi i sistemit në sistemin edukativo-arsimor krijon një pasqyrë sikur e tërë puna varet nga arsimtarët, të cilët janë hallka e fundit – realizues të sistemit. Sistemi duhet të parashohë masa për rendin në shkollë, e ato te ne nuk janë të parapara ashtu siç janë paraparë në sistemet e tjera” – konstaton një arsimtar i gjuhës angleze në shkollë fillore, i cili këtë çështje e ka hulumtuar detajisht.

–        Një arsimtar me 20 vjet përvojë pune në arsimin fillor dhe atë të mesëm në Shkup, mendon se ”dinjiteti jonë u shkel atëherë kur me dyer plotësisht të hapura i pranuam TË GJITHA projektet nga vendet e jashtme, duke e mohuar sistemin tonë të deriatëhershëm, duke besuar dhe duke shpresuar se ato do të sjellin demokraci më të madhe dhe ndryshime rrënjësore, risi, të cilat duhet t’i ndjekim verbërisht.” Është fakt se futja e vazhdueshme e risive pa mos e përgatitur paraprakisht terrenin për zbatimin e tyre, e pastaj pa mos i analizuar efektet e atyre risive, nuk çon në kualitet më të mirë të arsimit.

–        Duhet të jemi edhe vetëkritikë – ka arsimtarë “që e kanë humbur rrugën” në arsim, të cilët e humbin kohën ose këtë punë e kanë si hobi. Që të jesh i respektuar, duhet ta dëshmosh vetëveten! Normalisht, me punë! Sipas meje, politika regjistruese nëpër fakultetet për mësimdhënie duhet të jetë njëra nga më rigorozet” – konsideron një arsimtare nga Struga.

–        Si arsye për degradimin e profesionit të arsimtarit që është përmendur pothuajse nga të gjithë arsimtarët me të cilët bisedova, është mospasja e motivimit financiar dhe mosvlerësimi i punës (“të gjithë në shportën e njëjtë”) dhe se rrogat e arsimtarëve asnjëherë nuk kanë qenë mbi mesataren shtetërore. Më tepër për ndikimin e rrogave mbi kualitetin e punës së arsimtarëve dhe arritjet e nxënësve mund të lexoni në: Sa para – aq muzikë?! (Rrogat e arsimtarëve dhe arritjet e nxënësve)

–        Kriteret joadakuate dhe jo të definuara mirë për vlerësimin e arsimtarëve: ”askush nuk e di se si do të na vlerësojnë dhe kush do të na vlerësojë: inspektorët, komisioni për kontrollim ekstern, drejtorët – … edhe vetë aktet normative janë kundërthënëse“ është mendimi i një arsimtareje nga një shkollë fillore në Prilep. Për këtë më tepër mund të lexoni: ”A mund të notohet vlerësimi”.

–        Kushtet joadekuate dhe jo të barabarta për punë, që krijojnë edhe dallim në rrogë për arsye të tjera (harxhime rruge, harxhime personale për mjete mësimore), e jo për shkak të (jo)kualitetit, janë arsye për zvogëlimin e kualitetit të punës së arsimtarëve. Këtë e konstatojnë një numër i madh arsimtarësh, veçanërisht ata që punojnë në mjediset rurale dhe ato më të varfëra.

Për fund, pak nostalgji. Më kujtohet kur ne ishim nxënës në vitet e shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta dhe kur na pyesnin se çka dëshirojmë të bëhemi kur do të rritemi, më shumë se gjysma thonin – arsimtar/arsimtare. I pyeta sot nxënësit e moshës 8-9 vjeçare se çka dëshirojnë të bëhen kur do të rriten dhe mezi 15% prej tyre duan të bëhen arsimtarë. Është interesante se interesi për mjekë është njëlloj i vogël si edhe për arsimtarë, por paraqiten profesione të cilat më parë nuk konsideroheshin prestigjioze: këngëtar/këngëtare dhe futbollist.

 

Напишете коментар

Вашата адреса за е-пошта нема да биде објавена. Задолжителните полиња се означени со *